Vizita në kantinë
Presim vizitorë nga prilli deri në nëntor, vetëm me rezervim. Vizita zgjat rreth një orë e gjysmë: ecim në parcelën mbi shtëpi, zbresim në bodrum dhe më pas ulemi në tryezën nën harkun e jashtëm.
Çfarë përfshihet
Degustim i katër verërave, bukë shtëpie, djathë i bardhë i Roshnikut, ullinj dhe vaj nga kopshti. Nëse doni darkë të plotë, njoftoni të paktën dy ditë para.
Çmimet
Vizitë me degustim 1 500 lekë për person. Fëmijët nën dymbëdhjetë vjeç nuk paguajnë. Grupet mbi tetë persona kanë çmim të veçantë.
Si të vini
Nga Berati merrni rrugën për Roshnik, rreth 14 km. Pas kishës së fshatit ktheni majtas te tabela e drunjtë. Rruga e fundit është e shtruar me zhavorr, kalohet edhe me makinë të ulët, por ngadalë.